Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë ka reaguar lidhur me protestat që po zhvillohen prej katër ditësh në kryeqytet, duke u bërë thirrje qytetarëve që të protestojnë në mënyrë paqësore dhe në përputhje me ligjin.
Në një përgjigje për interesin e Vizion Plus, Ambasada Amerikane ka theksuar se dhuna nuk duhet të jetë pjesë e angazhimit qytetar.
“Nxisim qytetarët që marrin pjesë në protestë të veprojnë në mënyrë të ligjshme dhe paqësore. Trazirat e dhunshme nuk kanë vend në angazhimin qytetar”, thuhet në reagimin e Ambasadës së SHBA-së për Vizion Plus.
Deklarata vjen në një moment kur protestat në Tiranë janë shoqëruar me tensione dhe përplasje, duke tërhequr vëmendjen e opinionit publik dhe të përfaqësive diplomatike.
Ambasada Amerikane ka vënë theksin te rëndësia e respektimit të ligjit dhe ruajtjes së karakterit paqësor të protestave, ndërsa zhvillimet në kryeqytet vijojnë të jenë në qendër të diskutimeve.

