Autoriteti i Mediave Audiovizive (AMA) ka ndërmarrë hapa për të kufizuar shpërndarjen e videove private që kanë përfshirë disa personazhe të njohur të artit shqiptar.
Kryetarja e AMA-s, Armela Krasniqi, ka bërë të ditur se institucioni ka marrë dhjetëra ankesa nga artistë të prekur, qytetarë dhe organizata të shoqërisë civile, të cilët kanë kërkuar ndërhyrje për ndalimin e publikimit të materialeve që cenojnë privatësinë.
“Pas apelit publik që u bë nga emisioni ‘Tech Talk’, ne në fakt patëm fluks ankesash, të cilat vinin nga qytetarë, nga artistë të prekur, edhe nga shoqëria civile, nga disa organizata”, deklaroi Krasniqi për Top Channel.
Sipas saj, vetëm gjatë kësaj jave janë shqyrtuar 54 ankesa të lidhura me rastin, të cilat janë vlerësuar si shkelje të legjislacionit dhe Kodit të Transmetimit.
Pas komunikimit me platformën TikTok, janë hequr 45 publikime, ndërsa nëntë të tjera vijojnë të jenë në shqyrtim.
Krasniqi bëri të ditur gjithashtu se nga shkurti deri në fillim të tetorit, AMA ka administruar 326 ankesa, nga të cilat 140 janë gjetur në shkelje dhe platforma ka hequr 112 publikime.
Ndërhyrja synon të kufizojë përhapjen e materialeve që cenojnë privatësinë e individëve dhe mund të shkaktojnë bullizëm apo dëmtime të tjera ndaj personave të përfshirë.
Megjithatë, heqja e këtyre publikimeve nuk do të thotë se materialet janë zhdukur përfundimisht nga interneti apo se janë identifikuar personat përgjegjës për shpërndarjen e tyre.
AMA u ka bërë thirrje qytetarëve që të raportojnë përmbajtje të ngjashme përmes faqes zyrtare të institucionit, ama.gov.al.
Ndërkohë, hetimi për mënyrën se si janë siguruar dhe publikuar fillimisht videot intime mbetet një çështje më vete, që u takon organeve ligjzbatuese.

