Detaje të reja janë bërë publike lidhur me ngjarjen e rëndë që ka ndodhur brenda banesës së një çifti në Malishevë, ku një grua shtatzënë ka humbur jetën, ndërsa bashkëshorti i saj ka mbetur i plagosur rëndë.
Sipas raportimeve të Gazetës Insajderi, dyshimet e para të hetuesve janë përqendruar te bashkëshorti, Egzon Bytyqi. Sipas burimeve të cituara nga mediumi, dyshohet se arma e përdorur në ngjarje i përkiste babait të tij dhe ishte me leje.
Ngjarja dyshohet se ka ndodhur brenda dhomës së gjumit të çiftit. Të dy bashkëshortët janë gjetur të plagosur dhe fillimisht janë dërguar për trajtim në Malishevë, ndërsa më pas janë transportuar me urgjencë drejt QKUK-së në Prishtinë.
Pavarësisht përpjekjeve të mjekëve, Jetlira nuk ka mundur t’u mbijetojë plagëve. Sipas raportimit, ajo ishte në javën e 34-t të shtatzënisë dhe vdekja e saj është konfirmuar rreth orës 01:10 nga Emergjenca e QKUK-së.
Ndërkohë, bashkëshorti i saj vazhdon të jetë në gjendje të rëndë dhe po trajtohet në repartin e Intensivës.
Sipas të njëjtave burime, Egzon Bytyqi kishte jetuar dhe punuar për rreth shtatë vite në Gjermani dhe ishte kthyer në Kosovë rreth një muaj para ngjarjes.
Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet policore, hetuesit dhe zyrtarë të lartë të Policisë së Kosovës. Në këqyrjen e vendit të ngjarjes ka marrë pjesë edhe prokurori i shtetit për Krime të Rënda.
Hetimet po vazhdojnë për të zbardhur rrethanat e sakta të asaj që ka ndodhur brenda shtëpisë së çiftit.
Deri në përfundimin e hetimeve dhe një vendim të organeve të drejtësisë, dyshimet ndaj bashkëshortit mbeten të tilla dhe nuk përbëjnë një konstatim përfundimtar të fajësisë.

