Arjan Konomi ka rrëfyer në rrjetet sociale një incident që, sipas versionit të tij, ka ndodhur në Vuno, ku ai pretendon se është përplasur me kryeministrin Edi Rama dhe më pas është shoqëruar në Komisariatin e Policisë së Himarës.
Përmes një videoje të publikuar pasi kishte dalë nga komisariati, Konomi ka treguar se gjithçka nisi pas gjobave të vendosura ndaj automjeteve të parkuara në Vuno.
Sipas tij, gjatë mëngjesit policia kishte gjobitur një numër automjetesh në fshat, duke shkaktuar pakënaqësi te banorët. Më vonë, Konomi thotë se ka parë Edi Ramën dhe eskortën e tij pranë një lokali.
Ai pretendon se disa prej automjeteve të eskortës ishin parkuar në një zonë ku parkimi nuk lejohej. Për këtë arsye, Konomi thotë se nisi të filmonte dhe u kërkoi efektivëve të shpjegonin pse nuk po vepronin njësoj edhe ndaj automjeteve të eskortës.
“Pse nuk gjobisni dhe kryeministrin?”, pretendon Konomi se u ka thënë efektivëve.
Sipas rrëfimit të tij, më pas Edi Rama e ka thirrur pranë tavolinës dhe e ka ftuar të ulej. Konomi thotë se ka vijuar t’i parashtrojë shqetësimet për parkimin dhe gjobat e vendosura ndaj banorëve.
Debati, sipas tij, ka vijuar edhe pas ndërhyrjes së bashkëshortes së kryeministrit, Linda Rama.
Por situata dyshohet se është përshkallëzuar kur kanë ndërhyrë truprojat.
“Katër bodigardë më rrëmbejnë telefonin, më ngrenë peshë”, deklaron Konomi në videon e tij.
Ai pretendon gjithashtu se telefoni i është marrë dhe se disa prej pamjeve që kishte regjistruar janë fshirë.
Pas incidentit, Konomi thotë se është marrë nga efektivët e policisë dhe është shoqëruar në Komisariatin e Himarës, nga ku është larguar më vonë.
Ai pretendon gjithashtu se gjatë episodit kryeministri ka kërkuar ndërhyrjen ndaj tij.
Deri tani, ky është versioni i Arjan Konomit për ngjarjen. Nuk ka një reagim të bërë publik nga Edi Rama apo Policia e Shtetit që të japë një version tjetër për incidentin dhe rrethanat e shoqërimit të Konomit.


