Teksa vijon përballjen me drejtësinë, Vali Corleone ka ndarë me ndjekësit një detaj nga jeta e tij private.
Prej disa javësh, Vali dhe partnerja e tij Anita kanë konfirmuar se janë në pritje të fëmijës së tyre të parë. Ndërsa çifti pret të mësojë gjininë e bebit, Vali duket se e ka menduar tashmë edhe emrin.
Gjatë një transmetimi live në TikTok, ai ka treguar se zgjedhja do të jetë në stilin e tij karakteristik.
“Nëse do të jetë djalë, do të quhet Gladiator Corleone, nëse do të jetë vajzë, Gladiatora Corleone”, është shprehur ai.
Lajmi për shtatzëninë u bë publik në një periudhë të vështirë për çiftin, pasi Anita ndodhej në qeli, për t’u liruar më pas dhe për t’u ribashkuar me Valin.
Ndërkohë, Vali vijon të jetë në qendër të vëmendjes edhe për çështjen gjyqësore ndaj tij. Sipas materialit të publikuar, ai është sjellë me detyrim në Gjykatën Themelore në Prishtinë pas mungesës në dy seanca radhazi.
Në procesin ku akuzohet për çështje që lidhen me narkotikë, Prokuroria ka kërkuar dënimin e tij, ndërsa mbrojtja ka kërkuar lirimin nga akuzat. Vali është deklaruar i pafajshëm dhe, deri në një vendim përfundimtar, prezumohet i pafajshëm.

