Janë publikuar pamjet e një përleshjeje me thika që ka ndodhur ditën e sotme në Sarandë, ku mbetën të plagosur tre të rinj.
Ngjarja është filmuar nga kamerat e sigurisë së një berberhaneje, ku sipas pamjeve, disa persona janë përfshirë në konflikt. Në video duket momenti kur njëri prej të rinjve duket se përballet papritur me sulm, ndërsa një person tenton ta godasë me thikë në pjesën e qafës.
I riu arrin të shmanget në kohë dhe të largohet nga goditja, duke shpëtuar pa marrë plagën që mund t’i shkaktohej.
Si pasojë e përleshjes mbetën të plagosur Elidon Shukulli, 24 vjeç, Mario Shukulli, 20 vjeç dhe Andi Saliaj, 19 vjeç.
Tre të rinjtë u transportuan në urgjencën e Spitalit të Sarandës, ku morën ndihmën e parë mjekësore. Për shkak të gjendjes më të rënduar, Elidon Shukulli u transportua drejt Tiranës për trajtim më të specializuar.
Ndërkohë, Policia e Sarandës ka bërë të ditur se në lidhje me ngjarjen janë arrestuar Kamelo Aliaj, 22 vjeç, Andi Saliaj, 19 vjeç dhe Eduard Bajrami, 19 vjeç, banues në Sarandë.
Pamjet e kamerave të sigurisë pritet të jenë pjesë e hetimit për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe dinamikës së konfliktit.

