Përgatitjet për edicionin e pestë të “Big Brother VIP Kosova” duket se kanë hyrë në fazën përfundimtare, ndërsa detaje të reja po qarkullojnë për nisjen e reality show-t dhe drejtimin e tij.
Sipas burimeve të “Indeksonline”, BBVK5 pritet të nisë më herët se edicionet e kaluara, me spektaklin që raportohet të hapë dyert gjatë javës së parë të tetorit.
Të njëjtat burime bëjnë të ditur se edhe procesi i përzgjedhjes së personazheve që do të bëhen pjesë e shtëpisë raportohet të ketë përfunduar. Megjithatë, emrat e banorëve nuk janë bërë ende publikë zyrtarisht.
Një ndryshim i rëndësishëm pritet edhe në moderim. Sipas raportimeve, Alaudin Hamiti do ta drejtojë i vetëm edicionin e pestë, pas largimit të Jonida Vokshit.
Për Alaudin Hamitin ky do të jetë viti i pestë radhazi në krye të “Big Brother VIP Kosova”. Ndërkohë, Jonida Vokshi, e cila ka drejtuar spektaklin përkrah tij në katër edicionet e para, ka konfirmuar se nuk do të rikthehet këtë sezon.
Vokshi ka zgjedhur të marrë një pauzë nga televizioni dhe t’i kushtohet projekteve të saj në film dhe teatër.
Deri tani, këto detaje mbeten të bazuara në raportimet e “Indeksonline”, ndërsa pritet konfirmimi zyrtar nga Klan Kosova për datën e nisjes dhe kastin e BBVK5.

