Këngëtari dhe ish-banori i “Big Brother VIP Kosova”, Labinot Rexha, ka treguar se ka pësuar një aksident automobilistik teksa ishte duke udhëtuar drejt Zvicrës.
Përmes një postimi në InstaStory, Rexha ka rrëfyer se aksidenti, sipas tij, ka ndodhur në autostradën e Kosovës, pasi në rrugë ishin hedhur gurë.
Këngëtari ka ngritur dyshimin se situata mund të ketë rrezikuar edhe drejtues të tjerë automjetesh që kanë kaluar në të njëjtën zonë.
“Siç e kam lajmëruar në postimin tim, mbrëmë duke shkuar në Zvicër, gjatë autostradës në Kosovë, dikush ka hedhur gurë. Ndoshta edhe dikush tjetër ka pësuar të njëjtin aksident si ne”, ka shkruar ai.
Fatmirësisht, Rexha ka bërë të ditur se personat që ndodheshin në automjet kanë shpëtuar pa pasoja të rënda.
“Falë Zotit kemi shpëtuar. Makina është prishur, por e kemi rregulluar dhe tani jemi nisur përsëri për Zvicër”, ka treguar këngëtari.
Automjeti ka pësuar dëmtime, por sipas Rexhës është riparuar dhe udhëtimi ka vijuar.
Deri tani nuk ka të dhëna të tjera për identitetin e personit apo personave që, sipas pretendimit të këngëtarit, kanë hedhur gurët në autostradë.


