Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, ka reaguar pas ngjarjes së rëndë në Malësi të Madhe, ku një shtetas gjerman 47-vjeçar plagosi me thikë dy punonjës policie.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Balla ka dënuar ashpër dhunën ndaj uniformave blu, duke kërkuar ndëshkim për personat që sulmojnë efektivët gjatë ushtrimit të detyrës.
“Prandaj kultura e ndyrë e goditjes së punonjësve të policisë duhet refuzuar dhe kush guxon të godasë Policinë duhet bërë shembull!”, shkruan Balla.
Ngjarja ndodhi në fshatin Pjetroshan, ku 47-vjeçari gjerman J. K. dyshohet se goditi me thikë dy efektivë gjatë ndërhyrjes së Policisë.
Dy punonjësit e plagosur u transportuan në spital për ndihmë mjekësore, ndërsa i dyshuari u neutralizua nga shërbimet e Policisë dhe u shoqërua në komisariat për veprime të mëtejshme procedurale.

