Ish-banorja e “Big Brother VIP Albania”, Sara Gjordeni, ka ndarë me ndjekësit një shqetësim shëndetësor që po përjeton së bashku me partnerin e saj, këngëtarin Bardhi, dhe vajzën e tyre, Nea.
Përmes disa postimeve në Instagram, Sara ka treguar se të tre po përballen me një infeksion të syve, të cilin ajo e ka përshkruar si mjaft të rëndë. Ajo ka publikuar edhe pamje të syrit të saj, duke thënë se gjatë ditëve të fundit ka marrë shumë mesazhe nga persona që raportojnë simptoma të ngjashme.
“Gjatë këtyre ditëve më keni shkruar se edhe shumë prej jush po përjetojnë një epidemi të syve. Edhe unë po e kaloj gjithashtu, bashkë me Bardhin dhe Nean. Është një ‘grip sysh’ ose konjuktivit që po qarkullon”, ka shkruar ajo.
Sipas përshkrimit të Sarës, simptomat mund të përfshijnë enjtje të syve, dhimbje, djegie dhe turbullim të shikimit.
“Arrin deri edhe të të rrjedhë gjak nga sytë, të të enjtën derisa nuk i hap dot më, me turbullim shikimi deri 70-80%, dhe nuk kalon pa u bërë muaji”, ka deklaruar ish-banorja, duke përshkruar përvojën e saj dhe atë që thotë se ka dëgjuar nga ndjekësit.
Në një tjetër postim, Sara u është drejtuar veçanërisht prindërve, duke i këshilluar të tregojnë kujdes me kontaktet e fëmijëve dhe të shmangin prekjet e panevojshme të fytyrës.
“Ruajini fëmijët të mos prekin këdo ose të mos i puthë kushdo. S’e keni idenë sesa persona më shkruajnë në ditë për këtë gjë. Dukshëm është diçka në masë”, ka shkruar ajo.
Ajo ka treguar gjithashtu se po përjeton dhimbje dhe enjtje të gjëndrave përpara veshëve, krahas shqetësimeve të tjera.
“Realisht qenka shumë e rëndë, se paska shumë dhimbje, djegie dhe enjtje të gjëndrave përpara veshëve. Mos e neglizhoni!”, ka përfunduar Sara.
Deri tani, bëhet fjalë për përvojën dhe shqetësimet e ndara nga vetë Sarа, të cilat nuk mjaftojnë për të konfirmuar se ekziston një epidemi në shkallë të gjerë. Në rastet kur shfaqen dhimbje të forta, turbullim i shikimit ose gjakderdhje nga syri, rekomandohet vlerësim urgjent mjekësor.



