Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas kundërshtimit të pretendimeve të tij nga motra e Erjon Vishkullit, lidhur me dërgimin e 28-vjeçarit në Itali për trajtim të specializuar mjekësor.
Në reagimin e tij publik, Rama ka këmbëngulur se iniciativa për trajtimin e të riut në Itali është marrë personalisht prej tij, ndërsa transportimi drejt Romës me avion mjekësor dhe mbulimi i shpenzimeve janë mundësuar nga shteti shqiptar.
“Siç informova më parë, iniciativën për shërbimin e specializuar mjekësor të djalit në Itali nuk e kanë marrë ‘persona’, por e kam marrë unë personalisht dhe vajtja e tij në Romë me avion mjekësor, si edhe mbulimi i shpenzimeve, janë mundësuar pikërisht nga SHTETI dhe nga askush tjetër!”, shkruan kryeministri.
Rama ka sqaruar gjithashtu se kishte ofruar ta shoqëronte të riun dhe vëllanë e tij deri në sallën VIP të aeroportit, prej nga do të nisej drejt Italisë, duke shtuar se ishte i gatshëm të largohej vetë nga aeroporti pasi t’i përcillte.
Në fund të reagimit, kreu i qeverisë ka bërë thirrje për humanizëm, duke theksuar se, pavarësisht dhunës dhe përplasjeve, personat e lënduar mbeten qytetarë që kanë nevojë për ndihmë dhe kujdes mjekësor.
Reagimi vjen pas debatit publik mbi mënyrën se si u organizua dërgimi i 28-vjeçarit në Itali dhe rolin e institucioneve shtetërore në këtë proces. Deri tani, deklaratat e palëve paraqesin versione të ndryshme mbi përfshirjen në këtë çështje.

