Marrëdhënia mes Stenaldo Mahillit dhe Luiz Aileyt duket se ka mbetur e fortë edhe pas përfundimit të “Big Brother VIP Albania 5”.
Stenaldo ishte së fundmi i ftuar në podcastin “N’Vibe Wine”, ku u pyet për raportin e tij me Luizin dhe për afrimitetin që krijuan gjatë qëndrimit në shtëpinë e “BBVA5”.
Gjatë kohës që Luizi ishte në shtëpi, të dy kalonin shumë kohë së bashku duke biseduar, bërë shaka dhe shkëmbyer këshilla. Stenaldo e kishte vlerësuar veçanërisht mbështetjen e Luizit, duke thënë se prania e tij kishte ndikuar në mënyrën se si ai e përjetoi eksperiencën në “Big Brother”.
Pas largimit nga reality show, Stenaldo e kishte përshkruar raportin me Luizin me fjalë shumë të forta.
“Luizi ka dritën, ai ma ndryshoi rrugëtimin në BBV dhe e dua shumë. Është një nga fitoret e mia më të mëdha në atë program”, ishte shprehur ai.
Edhe pas daljes së Stenaldos nga shtëpia, Luizi e mbajti premtimin për ta takuar. Dyshja u shfaqën së bashku pak kohë pas eliminimit të Stenaldos, duke treguar se afrimiteti i krijuar gjatë programit kishte vazhduar edhe jashtë kamerave.
Stenaldo ka falënderuar publikisht Luizin për mbështetjen dhe ka shprehur respektin që ka për të, duke lënë të kuptohet se miqësia e tyre mbetet një nga kujtimet më të rëndësishme të eksperiencës së tij në “Big Brother VIP Albania”.

