Breaking News:

21-vjeçari shqiptar dyshohet se vrau nënën e tij në Itali, zbulohet arsyeja tronditëse

Advertisements

Detaje të reja kanë dalë në dritë nga ngjarja e rëndë që tronditi qytetin Chiari në Itali, ku 21-vjeçari shqiptar Eduart Xhani dyshohet se vrau me thikë nënën e tij, 39-vjeçaren Meleqe Lusha, brenda banesës së tyre.

Sipas rindërtimit paraprak të autoriteteve italiane, krimi ndodhi gjatë natës në banesën e familjes, në rrugën Tagliata. Pas ngjarjes, i riu dyshohet se u largua nga vendi i krimit, për t’u vetëdorëzuar më vonë te Karabinierët në Kremona.

Advertisements

Ndërkohë, kryetari i Bashkisë së Chiarit, Gabriele Zotti, ka zbuluar detaje nga jeta e familjes shqiptare, duke treguar se viktima kishte rritur e vetme djalin e saj që prej fëmijërisë.

Sipas kryebashkiakut, Meleqe Lusha ishte ndarë nga bashkëshorti kur Eduarti ishte ende i vogël dhe kishte marrë përsipër përgjegjësinë për ta rritur, duke përballuar e vetme shumë prej vështirësive të jetës.

39-vjeçarja përshkruhet si një grua punëtore dhe e përkushtuar ndaj familjes. Ajo punonte në Spitalin Civil të Breshias, ndërsa kishte pasur mbështetjen e katër vëllezërve të saj, të cilët punonin në sektorin e ndërtimit dhe njiheshin në komunitetin lokal.

“Komuniteti u trondit sot nga ky lajm, nga kjo ngjarje tragjike që ka prekur të gjithë qytetarët. Është një lajm që ka goditur jo vetëm ata që e njihnin familjen për shkak të fqinjësisë, lidhjeve familjare apo miqësisë, por të gjithë qytetin”, deklaroi Zotti.

Një tjetër detaj që ka shtuar pikëpyetjet rreth ngjarjes lidhet me të kaluarën e 21-vjeçarit.

Sipas kryebashkiakut, Eduart Xhani ishte rritur dhe shkolluar në Chiari, ku kishte ndjekur arsimin fillor dhe të mesëm. Ai nuk ishte raportuar më parë për probleme apo sjellje shqetësuese.

“Është një djalë që deri më sot nuk ishte raportuar për probleme dhe nuk kishte shkaktuar shqetësime. Kjo e bën edhe më të vështirë të kuptohet se çfarë mund të ketë ndodhur dhe çfarë e ka çuar drejt dhunës gjatë natës së kaluar”, u shpreh kryebashkiaku.

Zotti theksoi se hetimet duhet të zbardhin plotësisht rrethanat dhe motivet e ngjarjes, ndërsa u bëri thirrje qytetarëve të reflektojnë mbi këtë tragjedi.

“Le të bëjmë që drejtësia të kryejë punën e saj dhe të përcaktojë shkaqet që mund të kenë çuar në këtë ngjarje të dhunshme. Por si komunitet, të gjithë duhet t’i bëjmë vetes disa pyetje”, deklaroi ai.

Në përfundim, kryebashkiaku u shpreh se i gjithë qyteti është ende i tronditur nga ngjarja.

“Përballemi me një akt dhune të ushtruar nga djali ndaj nënës, siç rezulton nga rindërtimet e para të ngjarjes. Përballë një tragjedie kaq të vështirë për t’u kuptuar, Chiari po pyet veten se si mundi të ndodhte kjo”, përfundoi Zotti.

Ndërkohë, autoritetet italiane vijojnë hetimet për të përcaktuar motivin dhe dinamikën e plotë të krimit, ndërsa 21-vjeçari mbetet i dyshuar për vrasjen e nënës së tij.