Një ngjarje e rëndë është regjistruar në Malësinë e Madhe, ku një shtetas gjerman 47-vjeçar ka goditur me thikë dy punonjës policie gjatë ndërhyrjes së tyre për neutralizimin e tij.
Sipas informacionit paraprak të Policisë, rreth orës 17:30, në sallën operative të Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër ka mbërritur një njoftim nga një 27-vjeçar. Ai ka raportuar se, gjatë udhëtimit me automjetin e tij nga Hani i Hotit në drejtim të Shkodrës, drejtuesi i një automjeti tjetër dyshohet se i kishte hedhur benzinë mbi makinën e tij, pranë një pike karburanti në afërsi të pikës së kalimit kufitar.
Pas njoftimit, shërbimet e Policisë kanë ndërhyrë menjëherë dhe kanë ndaluar automjetin e dyshuar në fshatin Pjetroshan.
Gjatë ndërhyrjes, drejtuesi i automjetit, shtetasi gjerman J. K., 47 vjeç, ka refuzuar të identifikohet. Sipas Policisë, gjatë përpjekjeve për neutralizimin e tij, ai ka goditur me thikë dy punonjës të Patrullës së Përgjithshme, inspektorët S. B. dhe I. S.
Të dy efektivët janë transportuar në spital për të marrë ndihmë mjekësore. Ndërkohë, 47-vjeçari është neutralizuar dhe shoqëruar në ambientet e Komisariatit të Policisë Malësi e Madhe, ku do të kryhen veprimet e mëtejshme procedurale.
Grupi hetimor vijon punën për të sqaruar dhe dokumentuar plotësisht rrethanat e ngjarjes.

