Edicioni i pestë i “Big Brother VIP Kosova” po afron dhe tashmë është zbuluar edhe emri i opinionistit që do t’i bashkohet Rudina Dembacajt në këtë sezon.
Bëhet fjalë për Resul Sinanin, gazetarin dhe moderatorin e njohur, i cili prej vitesh është pjesë e ekranit dhe jetës mediatike në Kosovë.
Me një karrierë të gjatë në gazetari dhe televizion, Sinani ka drejtuar formate të ndryshme, ndërsa publiku e kujton edhe nga emisioni “Libero” në ATV, ku përmes intervistave dhe diskutimeve ka trajtuar tema të ndryshme shoqërore dhe aktuale.
Pas angazhimit në ATV, gazetari nisi një kapitull të ri profesional këtë sezon televiziv, duke iu bashkuar Klan Kosovës.
Tashmë, një tjetër sfidë e pret në ekran. Për herë të parë, Resul Sinani do të marrë rolin e opinionistit në “Big Brother VIP Kosova”, ku do të komentojë lojën, karakteret dhe dinamikat mes banorëve.
Krah Rudina Dembacajt, ai pritet të jetë pjesë e debateve dhe diskutimeve që do të shoqërojnë këtë edicion të ri të spektaklit, i cili pritet të sjellë emocione, përplasje dhe zhvillime të shumta.

