Erjon Vishkulli, 28-vjeçari nga Elbasani që mbeti i plagosur rëndë në sy gjatë protestës së 24 tetorit në Tiranë, ka kaluar me sukses ndërhyrjen kirurgjikale në klinikën “Gemelli” në Romë.
Një ditë pas operacionit, i riu ka reaguar në rrjetet sociale, ku ka publikuar një fotografi pas ndërhyrjes, të shoqëruar me një mesazh plot shpresë.
“Kur Zoti vendos të bëjë mrekulli. Asgjë nuk është e pamundur”, shkruan Vishkulli, ndërsa vijon rikuperimin pas operacionit.
Ndërhyrja u krye nga profesori Stanislao Rizzo, i cili arriti të hiqte trupin e huaj që i kishte dëmtuar syrin 28-vjeçarit. Megjithatë, rikthimi i plotë i shikimit mbetet ende i pasigurt dhe do të varet nga ecuria e mëtejshme e rikuperimit.
Ndërkohë, Prokuroria e Tiranës ka nisur hetimet për plagosjen e Vishkullit, si dhe për dyshimet mbi përdorimin joproporcional të forcës nga punonjës të Policisë së Shtetit gjatë protestës.
Hetuesit kanë administruar pamjet filmike dhe dokumentacionin mjekësor. Në vijim pritet edhe ekspertimi i materialit të hequr nga syri i 28-vjeçarit, për të përcaktuar natyrën e objektit që shkaktoi dëmtimin.
Pavarësisht suksesit të ndërhyrjes kirurgjikale, gjendja e shikimit të të riut mbetet për t’u vlerësuar gjatë fazës së rikuperimit.


