Teksa po afrohet edicioni i gjashtë i “Big Brother VIP Albania”, kanë nisur të qarkullojnë emrat e personazheve që mund të bëhen pjesë e shtëpisë më të famshme në Shqipëri.
Disa prej tyre janë përmendur në raportime mediatike, ndërsa të tjerë janë propozuar publikisht nga figura të njohura të televizionit. Megjithatë, deri më tani, asnjë prej këtyre emrave nuk është konfirmuar zyrtarisht nga Top Channel.
Një nga emrat e parë që u përfol ishte Negisa Dido, fituesja e edicionit të shtatë të “She’s On Top”. Më 16 gusht, “Loki Magazine” raportoi se ajo pritet të jetë një nga konkurrentet e BBVA 6. Pas fitores në formatin e Top Channel, Negisa siguroi edhe një kontratë televizive me emisionin “E Diell”.
Një tjetër emër i përmendur është Helga Cako, vajza e Alfred Cakos. Më 25 shtator, gazetari Bledi Mane e propozoi atë si një personazh që do të ishte interesant për t’u parë në spektakël, gjatë një interviste në “She’s On Air” në Top Albania Radio.
Në të njëjtën intervistë, Mane përmendi edhe Milaim Zekën. Gazetari nga Kosova, i njohur për deklaratat e tij publike dhe debatet televizive, ishte një tjetër personazh që ai do të dëshironte ta shihte brenda shtëpisë së BBVA-së.
Ndërkohë, në mediat rozë ka qarkulluar edhe mundësia e pjesëmarrjes së çiftit të njohur të TikTok-ut, Albi Buzali dhe Xhesiana Zahoaliaj. Dyshja ka krijuar një audiencë të konsiderueshme në rrjetet sociale dhe është shfaqur më parë edhe në ekranin e Top Channel. Megjithatë, nuk dihet nëse një pjesëmarrje e mundshme do të ishte individuale apo në çift.
Listës së personazheve të përmendur i shtohet edhe deputeti socialist Erion Braçe, i cili u propozua gjithashtu nga Bledi Mane. Gazetari u shpreh se do të dëshironte ta shihte Braçen jashtë mjedisit politik, në një format ku publiku mund të njihte edhe një anë tjetër të tij.
Kështu, Negisa Dido, Helga Cako, Milaim Zeka, Albi Buzali, Xhesiana Zahoaliaj dhe Erion Braçe janë gjashtë emrat që kanë dalë në diskutimet për edicionin e ri.
Por, a do t’i shohim vërtet në shtëpinë e “Big Brother VIP Albania 6”? Për momentin, gjithçka mbetet në kuadrin e raportimeve dhe propozimeve publike, pasi Top Channel nuk ka bërë ende një njoftim zyrtar për konkurrentët e rinj.

