Aktori i njohur Bes Kallaku ka reaguar me një mesazh prekës pas lajmit për plagosjen e rëndë të 28-vjeçarit Erjon Vishkulli gjatë protestës së studentëve në Tiranë.
Përmes një postimi në Instagram, Kallaku ka publikuar fotografinë e të riut, të cilin e cilëson mikun e tij, duke shprehur dhimbjen dhe shqetësimin për atë që i ka ndodhur.
“Erioni është miku im, një ndër djemtë më të mirë që kam njohur! Nuk ka dalë në protestë se i mungon diçka, por ka dalë për vlerat patriotike që ka, për mangësitë e këtij vendi që të gjithë ne kemi 30 vjet që i shohim”, shkruan aktori.
Në vijim të mesazhit të tij, Kallaku ka ngritur shqetësimin për gjendjen e rëndë të 28-vjeçarit, duke pretenduar se ai është goditur në sy me plumb gome gjatë protestës.
“SOT ËSHTË QËLLUAR ME PLUMB GOME NË SY DHE NDODHET NË GJENDJE TË RËNDË!”, shkruan ai, duke shprehur solidaritet me mikun e tij.
Rasti ka shkaktuar reagime edhe pas raportimeve se Vishkulli ka pësuar një dëmtim serioz në syrin e majtë gjatë protestës së zhvilluar të shtunën në kryeqytet.
Gazetari Flavio Qarri ka raportuar se 28-vjeçari ka humbur shikimin në syrin e dëmtuar, ndërsa dyshohet se plagosja është shkaktuar nga një plumb gome i përdorur nga policia. Sipas raportimeve, i riu është dërguar në Spitalin e Traumës, ku i është nënshtruar një ndërhyrjeje kirurgjikale.
Për gjendjen e tij ka reaguar edhe gazetari Marin Mema, i cili i ka kushtuar një mesazh mbështetës.
“Erjon, miku im, ata që të njohin nga afër ta dinë zemrën dhe dashurinë për Kombin! Lutem për ty!”, shkruan Mema.
Ndërsa vijojnë mesazhet e solidaritetit për 28-vjeçarin, rrethanat e plota të plagosjes dhe përgjegjësia për ngjarjen mbeten për t’u sqaruar nga autoritetet.


