Një zjarr i papritur në ambientet e Top Albania Radio ka sjellë ndërprerjen e transmetimit të emisionit të mëngjesit “Wake Up”, i cili nuk do të transmetohet sipas programacionit të zakonshëm.
Lajmi është bërë i ditur nga vetë stafi i emisionit, përmes një njoftimi në rrjetet sociale, ku është sqaruar arsyeja e mungesës së transmetimit.
“Për shkak të një zjarri të papritur në ambientet e Top Albania Radio, emisioni ‘Wake Up’ nuk do të transmetohet sot”, thuhet në njoftim.
Për fat të mirë, sipas reagimit të publikuar, nuk raportohet për persona të lënduar. Stafi ka bërë të ditur se të gjithë punonjësit janë mirë dhe ndodhen në kushte të sigurta.
Deri më tani, nuk janë dhënë detaje të tjera lidhur me shkakun e zjarrit, dëmet e mundshme materiale apo kohën kur emisioni do t’i rikthehet transmetimit normal.
Ngjarja vjen vetëm dy ditë pas një postimi të moderatorit të Top Channel, Ledion Liço, i cili kishte shpërndarë në Instagram një sekuencë nga filmi “Shutter Island”, me protagonist Leonardo DiCaprio.
Skena përmbante pyetjen: “Çfarë do të ishte më keq: të jetosh si përbindësh apo të vdesësh si njeri i mirë?”, duke nxitur interpretime të ndryshme në rrjetet sociale për një mesazh të mundshëm të tërthortë lidhur me situatën politike në vend.
Megjithatë, nuk ka asnjë informacion të konfirmuar që lidh postimin e Ledion Liços me zjarrin në ambientet e radios. Për momentin, vëmendja mbetet te incidenti dhe pritja për më shumë informacione rreth shkaqeve të tij.

