Albana Osmani ka folur për një rikthim të mundshëm në formatin “Big Brother VIP”, duke lënë të hapur mundësinë për një bashkëpunim të ri televiziv.
E ftuar në “Se Luan Topi”, moderatorja u pyet nëse do të dëshironte të drejtonte sërish “Big Brother VIP Fan Club”, format të cilin e ka prezantuar në disa edicione.
“Kam prezantuar 4-5 edicione të ‘Fan Club’. Ka qenë një aventurë shumë e veçantë, jam kënaqur. A do ta bëja përsëri? Nuk më pëlqen të kaloj në eksperienca që kam kaluar më parë”, u shpreh ajo.
Megjithatë, Albana bëri një deklaratë interesante kur foli për Ledion Liçon. Ajo tha se e vlerëson shumë profesionalisht moderatorin, të cilin e njeh prej rreth 20 vitesh.
“Unë kam ndjekur Ledionin dhe e çmoj shumë si një nga moderatorët më të mirë”, deklaroi Osmani.
E pyetur nëse do ta imagjinonte veten në një projekt pranë tij, Albana nuk përjashtoi një bashkëpunim të ardhshëm.
“Do të doja të bashkëpunoja me Ledionin, sepse i besoj profesionalisht dhe i besoj integritetit të tij”, tha ajo.
Deklarata e moderatores vjen në një periudhë kur vëmendja është përqendruar te përgatitjet për sezonin e ri të “Big Brother VIP Albania”. Megjithatë, nuk ka ende një konfirmim zyrtar se Albana Osmani do të jetë pjesë e BBVA6.

