Arjan Konomi ka reaguar publikisht mbrëmjen e së mërkurës, duke pretenduar se është pezulluar nga Top Channel pas debatit që pati me kryeministrin Edi Rama në Vuno.
Përmes një postimi në Instagram, opinionisti ka treguar versionin e tij për zhvillimet e fundit. Sipas Konomit, prej datës 15 gusht ai ishte në pritje për të firmosur kontratën me televizionin, ndërsa situata ndryshoi pikërisht kur ishte planifikuar xhirimi i reklamës së “Për’puthen”.
“Ka që pas 15 gushtit që nga zyrat e Topit më marrin për të firmosur kontratën. Dhe ditën që më lajmëruan për t’u paraqitur për xhirimin e reklamës së emisionit ‘Për’puthen’, një orë më pas më lajmërojnë që jam pezulluar”, shkruan Konomi.
Ai pretendon se më pas xhirimi u shty për një ditë tjetër, por nuk pati më komunikim lidhur me rikthimin e tij në ekran.
Një tjetër pretendim i fortë i Konomit lidhet me qëndrimet e tij publike. Ai thotë se i është kërkuar të mos shprehej politikisht në rrjetet sociale dhe të mos merrte pjesë në protesta, pasi konsiderohet si imazh i televizionit.
“Mu kërkua që të mbyllja gojën në rrjete sociale, që mos të shprehja qëndrime politike apo të merrja pjesë në protesta pasi jam imazh i televizionit. Natyrisht nuk e pranova”, deklaroi ai.
Konomi argumenton se “Për’puthen” nuk është një format politik dhe se qëndrimet e tij personale nuk duhet të ndikojnë në angazhimin profesional.
Në fund, ai e lidhi situatën me lirinë e shprehjes dhe të medias, duke ironizuar televizionin: “Për lirinë e fjalës dhe të mendimit, për lirinë e medias dhe lirinë e shtypit një bravo të madhe Top Channel-it”.
Deri tani, Top Channel nuk ka bërë një reagim zyrtar për pretendimet e Arjan Konomit.

