Ish-banorja e “Big Brother VIP Albania” dhe influencerja Dea Mishel ka reaguar ashpër ndaj deputetes socialiste Iris Luarasi pas incidentit të ndodhur një ditë më parë në ambientet e “Toptanit”.
Sipas raportimit të “Zërit”, aktivistja Arvina Lleshi, së bashku me disa persona të tjerë, i është drejtuar Luarasit me fjalët “hajdute” dhe “nuk i përfaqëson gratë”, ndërsa protestueset e kanë akuzuar deputeten se është bërë pjesë e “qeverisë së krimit”.
Pas arrestimit të Arvina Lleshit, Dea Mishel ka reaguar përmes një videoje të publikuar në Instagram, ku i është drejtuar me tone të forta deputetes socialiste.
Dea e ka cilësuar incidentin si një sulm verbal nga dy protestueset, ndërsa ka akuzuar Luarasin se po e përdor termin “feminizëm” për ta paraqitur veten si viktimë.
Sipas Deas, dy vajzat që iu drejtuan Luarasit janë protestuese dhe kundërshtare të qeverisë. Ajo ka argumentuar gjithashtu se Iris Luarasi, si akademike, duhet t’i njohë më mirë termat dhe parimet e feminizmit.
Në reagimin e saj, Dea Mishel ka rikthyer në vëmendje edhe një deklaratë të mëparshme të Iris Luarasit lidhur me mungesën e ilaçeve në Onkologjik, çështje ku ishte diskutuar edhe situata e grave.
Përplasja ka shkaktuar reagime në rrjetet sociale, ndërsa mbetet për t’u parë nëse Iris Luarasi do t’i përgjigjet publikisht deklaratave të Dea Mishel.

