Ka nisur në Gjykatën e Shkallës së Parë të Tiranës seanca për caktimin e masës së sigurisë ndaj këngëtarit Jozefin Marku dhe Kristjan Nikollit, të arrestuar pas ngjarjes së dhunshme ku u përfshi Eduard Kuçi.
Prokuroria ka kërkuar masën e sigurisë “arrest me burg” për të dy, ndërsa tashmë është gjykata ajo që do të vendosë përfundimisht për masën e sigurisë.
Paralelisht me seancën, hetimet për ngjarjen vijojnë. Një prej elementëve që po verifikohet nga organi i akuzës është edhe përdorimi i simboleve të Policisë së Shtetit gjatë incidentit.
Gjithashtu, Prokuroria ka kërkuar kryerjen e një akt-ekspertimi për të përcaktuar dëmtimet që Eduard Kuçi mund të ketë pësuar gjatë ngjarjes.
Ndërkohë, vetë Kuçi është shpallur në kërkim policor për moskallëkim krimi. Sipas hetimeve, ai nuk e kishte denoncuar fillimisht ngjarjen në polici dhe e kishte paraqitur atë si një konflikt të zakonshëm që kishte nisur pas bllokimit të rrugës me automjet.
Pas verifikimeve, policia e ka trajtuar rastin si ngjarje penale dhe ndaj Kuçit është ngritur akuza për moskallëkim krimi.
Ky fakt pritet të jetë gjithashtu pjesë e argumenteve që mbrojtja e Jozefin Markut mund të paraqesë gjatë procesit.
Në përfundim të seancës, gjykata do të vendosë nëse Jozefin Marku dhe Kristjan Nikolli do të qëndrojnë në masën “arrest me burg” apo do t’u caktohet një masë tjetër sigurie.

