Noizy ka paralajmëruar një ndryshim të rëndësishëm në mënyrën se si do të zhvillohen performancat e tij në vazhdim, duke lënë të kuptohet se fansat do të shohin një koncept krejt të ri në skenë.
Pas një periudhe të gjatë me koncerte dhe performanca në klubet e natës, reperi ka vendosur të sjellë një tjetër qasje për daljet e tij para publikut. Lajmin e ka bërë të ditur vetë përmes një postimi në rrjetet sociale, ku ka falënderuar ndjekësit për mbështetjen ndër vite.
“Një epokë e re. Një koncept i ri për show-t, një nivel tjetër energjie, produksioni dhe gjithçka që vjen bashkë me të”, shkruan Noizy.
Nga deklarata e reperit kuptohet se bëhet fjalë për një ndryshim në mënyrën e konceptimit të koncerteve, me më shumë fokus te produksioni, energjia dhe elementët e performancës live.
Megjithatë, Noizy nuk ka zbuluar ende se si do të duket konkretisht formati i ri apo kur do të prezantohet për herë të parë.
Postimi i tij ka mjaftuar për të ngjallur kureshtjen e fansave, të cilët tashmë presin të zbulojnë se çfarë fshihet pas “epokës së re” të paralajmëruar nga reperi.


