Breaking News:

Rikthim i bujshëm pas 16 vitesh, Agron Llakaj pjesë e “Portokalli”, zbulohet roli i tij

Advertisements

Pas disa javësh aludimesh, rikthimi i Agron Llakajt në Top Channel tashmë është konfirmuar. Aktori dhe moderatori do të rikthehet në ekran pas plot 16 vitesh, pikërisht në një prej programeve me të cilat emri i tij është lidhur prej vitesh.

Llakaj do të marrë drejtimin e spektaklit të humorit “Portokalli”, ndërsa rikthimi i tij nuk do të kufizohet vetëm te moderimi. Ai do të jetë gjithashtu pjesë e skenës si aktor, duke iu bashkuar numrave humoristikë të programit.

Duke folur për rikthimin, Llakaj e ka shoqëruar momentin me humor, duke u shprehur: “Është si rikthimi i Odisesë, por unë nuk jam Odise Llakaj, jam Agron Llakaj.”

Artisti ka vlerësuar gjithashtu mbështetjen e Top Channel dhe Lori Hoxhës për sezonin e ri.

Advertisements

Sipas tij, “Portokalli” nuk do të nisë nga e para, por do të ndërthurë eksperiencën e tij me aktorët dhe krijuesit që janë aktualisht pjesë e spektaklit. Satira mbi aktualitetin pritet të mbetet një prej shtyllave kryesore të programit.

Një tjetër risi do të jetë rikthimi i spektaklit me publik live. Shfaqjet do të zhvillohen çdo të premte, ndërsa transmetimi televiziv do të jetë të dielave.

Ndërkohë, nga 2 deri më 16 shtator do të zhvillohen audicione për talente të reja në aktrim, imitim dhe shkrimin e skeçeve.

Premiera live është planifikuar për 2 tetor, ndërsa më 4 tetor “Portokalli” pritet të rikthehet në ekranin e Top Channel.

Pas 16 vitesh, Agron Llakaj rikthehet kështu në një prej skenave më të rëndësishme të karrierës së tij, këtë herë sërish si moderator dhe aktor.