Një video e publikuar nga gazetari Elton Tozaj ka shkaktuar një përplasje publike me Rizarta Hoxhën, pasi në pamje ajo shfaqet duke shkëmbyer një puthje me një mashkull.
Publikimi i videos është shoqëruar edhe me pyetjen nëse momenti është regjistruar para apo pas udhëtimit të Rizartës në Spanjë, duke nxitur diskutime në rrjet.
Pas publikimit, Rizarta ka reaguar në Instagram, duke e konsideruar shpërndarjen e pamjeve si një cenim të jetës së saj private. Ajo ka bërë të ditur se nuk do ta vijojë më debatin publikisht, por do ta ndjekë çështjen në rrugë ligjore.
“Dua të sqaroj publikisht diçka që tashmë ka kaluar kufirin e informacionit dhe ka hyrë në cenimin e jetës private”, ka shkruar ajo, duke iu referuar edhe dispozitave ligjore që, sipas saj, mbrojnë privatësinë, personalitetin, reputacionin dhe të dhënat personale.
“Nga ky moment, çështja nuk do të trajtohet më publikisht, por vetëm në rrugë ligjore”, ka përfunduar Rizarta.
Nuk ka vonuar edhe reagimi i Elton Tozajt. Gazetari ka mbrojtur publikimin, duke argumentuar se pamjet janë realizuar në një ambient publik dhe se raportimi për personazhet publike në rrethana të tilla mund të jetë pjesë e interesit publik.
“Fakti që je personazh publik të vendos dhe të mban në qendër të vëmendjes”, ka shkruar Tozaj.
Ai ka këmbëngulur se fotografitë apo videot e realizuara jashtë një banese private mund të publikohen në kuadër të raportimit, kur sipas tij ekziston interes publik.
Përplasja mes të dyve tashmë pritet të marrë një tjetër drejtim, pasi Rizarta ka paralajmëruar ndjekje ligjore, ndërsa gazetari vijon të mbrojë publikimin e materialit.




