Debati për zhvillimet e fundit në Zvërnec ka pushtuar rrjetet sociale, ku mijëra qytetarë dhe aktivistë kanë reaguar lidhur me projektin e shumëdiskutuar që parashikon ndërtimin e një resorti luksoz në zonë.
Teksa shumë personazhe publike kanë zgjedhur të shprehin qëndrimin e tyre, një pjesë tjetër ka preferuar të mos reagojë. Pikërisht kjo heshtje ka sjellë kritika të shumta ndaj disa prej figurave më të njohura të ekranit shqiptar.
Në qendër të komenteve janë vendosur Romeo Veshaj, Donald Veshaj dhe Bora Zemani. Ndjekës të shumtë kanë vërshuar në profilet e tyre në rrjetet sociale duke kërkuar një reagim publik për situatën në Zvërnec.
Shumë komentues kanë theksuar faktin se të tre janë me origjinë nga Vlora dhe shpesh kanë shprehur krenarinë për vendlindjen e tyre, ndaj sipas tyre mungesa e një reagimi për këtë çështje është e pakuptueshme.
Komentet kritike nuk kanë munguar, me ndjekës që i kanë pyetur publikisht se përse nuk po flasin për zhvillimet në Zvërnec dhe përse nuk po përdorin ndikimin e tyre për të ngritur zërin mbi këtë kauzë.
Deri në këto momente, as Romeo Veshaj, as Donald Veshaj dhe as Bora Zemani nuk kanë bërë ndonjë reagim publik lidhur me komentet apo me situatën që po diskutohet gjerësisht në rrjet.





