Një ngjarje e rëndë ka tronditur komunitetin shqiptar në Rethimno të Kretës, pas ndarjes nga jeta të Roland Salës, 33-vjeçar me origjinë nga Peshkopia, i cili jetonte në Angli.
Sipas njoftimit të komunitetit shqiptar në Rethimno, i riu kishte shkuar në Kretë për të kaluar pushimet pranë familjarëve. Gjatë kohës që po lahej në det, ai u përfshi nga dallgët dhe pësoi asfiksi.
Rolandi u transportua me urgjencë në Spitalin e Rethimnos, ku qëndroi rreth dy javë nën kujdesin e mjekëve. Pavarësisht përpjekjeve për ta shpëtuar, ai ndërroi jetë.
Trupi i pajetë i 33-vjeçarit është nisur drejt Shqipërisë, ku do të përcillet për në banesën e fundit.
Lajmi ka prekur familjarët, miqtë dhe komunitetin shqiptar në Kretë, të cilët janë organizuar për t’i dhënë lamtumirën e fundit.
Në mesazhin e ngushëllimit, Komuniteti Shqiptar në Rethimno i shprehu solidaritet familjes së të ndjerit, duke e kujtuar Roland Salën me respekt dhe dhimbje.

