Një ngjarje tragjike ka tronditur Shkodrën këtë të mërkurë, ku një zjarr i rënë në një banesë në fshatin Domen, njësia administrative Postribë, i ka marrë jetën një 24-vjeçareje dhe dy fëmijëve të saj të mitur.
Sipas Policisë, viktimat janë një grua 24 vjeçe dhe dy fëmijët e saj, të moshave 3 vjeç dhe 1 vjeç e gjysmë. Ngjarja është regjistruar rreth orës 13:10, ndërsa grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po punon për zbardhjen e plotë të shkaqeve dhe rrethanave të zjarrit.
Forcat zjarrfikëse dhe policia u nisën menjëherë drejt vendngjarjes, por ndërhyrja u vështirësua nga terreni i thepisur. Sipas autoriteteve, banesa ndodhej rreth 30 minuta në këmbë larg rrugës automobilistike dhe, kur ekipet mbërritën, flakët kishin përfshirë pothuajse të gjithë objektin.
Nga informacionet paraprake mësohet se familja jetonte në fshatin Golem dhe ishte kthyer nga Gjermania më 15 korrik. 24-vjeçarja kishte shkuar bashkë me dy fëmijët në banesën e prindërve të saj në fshatin Domen për ta pastruar, kur zjarri shpërtheu dhe përfshiu shtëpinë.
Autoritetet vijojnë hetimet për të përcaktuar shkakun e zjarrit dhe për të dokumentuar plotësisht këtë ngjarje të rëndë.
