Koncerti i Kanye West në Tiranë i ka sjellë ekonomisë shqiptare rreth 35 milionë euro përfitime, ndërsa qeveria kishte akorduar mbi 4 milionë euro për organizimin e tij. Kështu u shpreh ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sporteve, Blendi Gonxhe, gjatë një konference për mediat.

Sipas ministrit, eventi pati një ndikim të madh ekonomik, duke sjellë mijëra vizitorë të huaj dhe duke rritur ndjeshëm aktivitetin në sektorin e turizmit dhe shërbimeve.

“Hotelet dhe shtëpitë ishin ‘sold out’. Kemi pasur një rritje të vizitave edhe në monumentet kulturore. Janë krijuar rreth 1 mijë vende pune me pagë mesatare 1 mijë euro dhe në Shqipëri kanë ardhur mbi 300 trajlerë për organizimin e koncertit”, deklaroi Gonxhe.

Ai shtoi se organizimi i suksesshëm i koncertit krijon mundësi që në të ardhmen Shqipëria të mirëpresë edhe artistë të tjerë me famë botërore.

Ministri komentoi edhe rënien me 1.3% të ritmit të rritjes së turistëve gjatë muajit qershor, duke e lidhur këtë me situatën politike dhe protestat në vend.

Sipas tij, pamjet e tensioneve dhe incidenteve gjatë protestave ndikojnë negativisht në perceptimin e turistëve të huaj, të cilët mund të zgjedhin destinacione të tjera si Mali i Zi apo Greqia.

Gonxhe kritikoi gjithashtu një pjesë të protestuesve, të cilët i cilësoi si radikalë dhe ekstremistë, duke i akuzuar se po dëmtojnë ekonominë dhe imazhin e Shqipërisë.