Detaje të reja tronditëse kanë dalë në dritë nga hetimet për vrasjen e 38-vjeçares britanike Elizabeth Ross në Athinë.

Autoritetet greke kanë publikuar pamje nga kamerat e sigurisë, ku 26-vjeçari afgan, i dyshuar për krimin, shihet duke ecur qetësisht në qendër të Athinës me një valixhe të madhe. Sipas hetimeve, brenda saj ndodhej trupi i pajetë i 38-vjeçares.

Sipas policisë, i riu dyshohet se kishte planifikuar të fshihte trupin në një ndërtesë të braktisur në zonën e Kypselit, ku ai u zbulua tetë ditë më vonë.

Hetuesit dyshojnë gjithashtu se, pas krimit, 26-vjeçari përdori telefonin e viktimës për t’u dërguar mesazhe familjarëve dhe të afërmve të saj, me qëllim që të krijonte përshtypjen se ajo ishte ende gjallë.

Hetimi mori kthesë pasi identiteti i viktimës u konfirmua përmes bashkëpunimit me Interpolin, ndërsa analizimi i kamerave të sigurisë ndihmoi në rindërtimin e lëvizjeve të të dyshuarit.

Në orën 22:43, kamerat e filmuan duke kaluar në rrugën Evelpidon me valixhen dhe një çantë tjetër. Pak minuta më vonë, ai u regjistrua duke u larguar nga e njëjta zonë pa valixhen.

Një rol të rëndësishëm në hetim ka pasur edhe partnerja e të dyshuarit, e cila, pasi mësoi identitetin e viktimës, nisi të dyshonte për përfshirjen e tij në ngjarje.