Janë publikuar pamjet filmike nga aksidenti i rëndë i ndodhur pasditen e sotme pranë mbikalimit të TEG-ut në Tiranë, ku humbën jetën dy persona.
Në videon që po qarkullon në rrjetet sociale shihet momenti kur një kamion-betoniere lëviz me shpejtësi dhe përplaset me një automjet. Pas goditjes, mjeti i tonazhit të rëndë përplas barrierat mbrojtëse të mbikalimit dhe bie në nivelin e poshtëm të rrugës.
Si pasojë e aksidentit humbën jetën dy personat që ndodheshin në kabinën e kamionit, drejtuesi dhe pasagjeri.
Ndërkohë, drejtuesi i automjetit tjetër të përfshirë në aksident është transportuar në spital dhe, sipas autoriteteve, ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Policia dhe grupi hetimor vijojnë punën në vendngjarje, ndërsa po analizohen pamjet filmike dhe provat për të zbardhur shkaqet dhe rrethanat e plota të aksidentit.
