Këngëtarja Aurela Gaçe ka reaguar ashpër pasi fotografia e saj u përfshi mes portreteve të afishuara në rrugët e Tiranës gjatë protestave të zhvilluara javët e fundit, ku disa artistë janë etiketuar si “armiq” për shkak të mungesës së një reagimi publik.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, artistja publikoi fotografinë e saj të vendosur në protestë dhe iu përgjigj kritikave, duke theksuar se angazhimi i saj qytetar nuk ka nisur sot, por daton prej shumë vitesh.
Aurela kujtoi se ka marrë pjesë në protesta që në kohën kur ishte studente, duke përmendur edhe angazhimin e saj kundër armëve kimike. Sipas saj, përveç pjesëmarrjes në protesta, ajo ka shprehur vazhdimisht qëndrimet e saj edhe përmes muzikës dhe teksteve të këngëve.
Në reagimin e saj, këngëtarja kritikoi ashpër mënyrën se si, sipas saj, po u imponohet artistëve mënyra se si duhet të reagojnë. Ajo u shpreh se askush nuk mund t’i diktojë se si duhet ta dojë vendin e saj apo si ta shprehë qytetarinë.
“Mua nuk më tregon as dikton dot askush se si ta dua vendin tim. Nëse ankoni për diktaturë, atëherë përse diktoni ju se si duhet të sillemi? A nuk është edhe kjo një formë dhune?”, shkroi artistja në mesazhin e saj.
Në fund të reagimit, Aurela Gaçe ndau edhe shqetësimet për realitetin social në Shqipëri, duke përmendur prindërit pensionistë, familjarët që kanë emigruar dhe pasiguritë që ndien si nënë për të ardhmen e fëmijëve të saj. Ajo theksoi se e kupton peshën që mbartin shumë familje shqiptare dhe se dinjiteti mbetet vlera më e rëndësishme për të, pavarësisht kritikave apo etiketimeve.
