Pas publikimit të disa videove ku ai shfaqet në ambientet e kompanisë “Onima”, ka ardhur reagimi i menjëhershëm i këngëtarit Gjesti.
Pamjet që qarkulluan në rrjetet sociale dhe media tregojnë artistin duke hyrë në zyrat e kompanisë, ndërsa në një moment shihet duke nxjerrë armën. Videoja ka shkaktuar reagime të shumta dhe debat të madh në opinionin publik.
Përmes një reagimi të gjatë në Instastory, Gjesti ka hedhur poshtë mënyrën se si është paraqitur ngjarja, duke pretenduar se videot janë prerë dhe manipuluar qëllimisht për të dëmtuar figurën e tij.
Sipas tij, materialet e publikuara nuk pasqyrojnë të gjithë të vërtetën dhe lënë jashtë momente të rëndësishme që, sipas artistit, do të ndryshonin perceptimin e publikut për atë që ka ndodhur.
Gjesti ka pretenduar gjithashtu se ka qenë vetë i kërcënuar gjatë konfliktit dhe ka pyetur publikisht pse nuk janë publikuar edhe pjesët e tjera të regjistrimeve. Në reagimin e tij, ai ka ngritur akuza të forta ndaj kompanisë, duke e akuzuar për përfitime të padrejta nga puna e tij ndër vite.
Këngëtari ka pranuar se do të përballet me përgjegjësitë që i takojnë për veprimet e tij, por ka kërkuar që edhe pala tjetër të japë llogari për akuzat që ai ka ngritur.
Në fund të reagimit, Gjesti është shprehur se beson te institucionet e drejtësisë në Kosovë dhe se hetimet do të zbardhin të gjithë të vërtetën rreth konfliktit që ka përfshirë artistin dhe kompaninë “Onima”.

