Protesta e zhvilluar sot në Tiranë u shoqërua me tensione, pasi pati përplasje mes protestuesve dhe forcave të policisë. Gjatë ndërhyrjes, policia përdori gaz lotsjellës për shpërndarjen e turmës.

Një nga momentet që tërhoqi më shumë vëmendje në rrjetet sociale ishte ai i File Bulkut, e cila u pa duke mbrojtur djalin e saj me autizëm nga efektet e gazit lotsjellës. Në pamjet që janë shpërndarë gjerësisht, djali shihet duke përqafuar nënën e tij mes lotësh, një skenë që ka prekur shumë qytetarë dhe ka nxitur reagime të shumta solidariteti.

Zonja File Bulku është e njohur për publikun edhe nga daljet e saj të mëparshme televizive, ku ka rrëfyer vështirësitë e përditshme që përballet në rritjen e djalit të saj me nevoja të veçanta, si dhe kushtet e vështira të banesës ku jetojnë.

Për familjen e saj është hapur edhe një fushatë në platformën GoFundMe, e iniciuar nga organizata Brandon Forever 22 Legacy, me synimin për të mbledhur 85 mijë dollarë. Sipas përshkrimit të fushatës, fondet synojnë të përmirësojnë kushtet e banesës së familjes dhe të sigurojnë mbështetje e trajtim për djalin e saj.

Historia e File Bulkut dhe e djalit të saj ka prekur mijëra qytetarë, ndërsa pamjet e sotme nga protesta kanë rikthyer edhe një herë në qendër të vëmendjes sfidat me të cilat përballen familjet që kujdesen për persona me aftësi të kufizuara.

Ndihmo dhe ti duke klikuar ne fotografi