Platforma X Media, e krijuar nga Donald dhe Romeo Veshaj, prej disa javësh nuk ka publikuar asnjë material të ri, duke ngritur pikëpyetje mes ndjekësve për të ardhmen e saj.

Sipas asaj që vihet re në kanalet zyrtare, aktiviteti është ndërprerë që prej 13 qershorit, ndërsa emisioni i fundit i transmetuar ishte “Më Lër Ta Mbaroj”. Në fund të atij episodi, Donald Veshaj u shpreh se emisioni do të rikthehej “javën tjetër”, por deri tani nuk ka pasur asnjë episod të ri dhe as ndonjë njoftim zyrtar që të shpjegojë arsyet e kësaj pauze.

Mungesa e komunikimit ka shtuar spekulimet në rrjet, pasi ndërprerja ka ardhur në një periudhë kur emrat e dy vëllezërve kanë qenë në qendër të vëmendjes edhe për zhvillime jashtë televizionit. Gjatë muajve të fundit është raportuar se Donald Veshaj, së bashku me ortakët e tij, ka aplikuar për një projekt zhvillimi në qytetin e Vlorës, çështje që ka ngjallur reagime dhe debat publik.

Ndërkohë, sipas informacioneve të publikuara nga Prive By LS, brenda platformës po ndodhin edhe ndryshime organizative. Raportohet se disa anëtarë të stafit nuk do të jenë më pjesë e X Media, çka lë të kuptohet se pauza mund të lidhet edhe me një riorganizim të brendshëm.

Deri në këtë moment, Donald dhe Romeo Veshaj nuk kanë bërë një reagim publik për ndërprerjen e programacionit apo për planet e platformës në vazhdim.

Nëse bëhet fjalë për një pushim sezonal, një ristrukturim të projektit apo një rikthim me një format të ri, mbetet për t’u parë në javët në vijim.