Një incident i rëndë ka ndodhur gjatë koncertit të reperit portorikan Hades66 në një klub nate në Palma de Mallorca, Spanjë.
Sipas pamjeve që po qarkullojnë në rrjetet sociale, artisti u godit në fytyrë me një gotë qelqi teksa ishte duke performuar para publikut. Goditja i shkaktoi plagë dhe gjakderdhje, duke bërë që ai të ndërpriste menjëherë koncertin.
Pas incidentit, Hades66 zbriti nga skena në përpjekje për të identifikuar personin që dyshohet se hodhi gotën.
Më vonë, reperi publikoi disa video në rrjetet sociale, ku pretendoi se ekipi i tij kishte identifikuar autorin e dyshuar. Në një prej postimeve shihet një person i shtrirë në tokë duke u goditur nga disa persona, ndërsa në një tjetër Hades66 i drejtohet të dyshuarit me fjalët:
“Jam në Mallorca, më shkruaj në DM që të takohemi.”
Deri tani nuk ka një konfirmim zyrtar nga autoritetet spanjolle nëse personi që shfaqet në videot e publikuara është i njëjti që hodhi gotën ndaj artistit. Hetimet për incidentin vijojnë.
