Reperi G-Bani ka njoftuar se fushata e tij në GoFundMe, e krijuar për financimin e këngës së re “Assasin”, është mbyllur dhe të gjitha donacionet do t’u kthehen personave që kishin kontribuar.
Fillimisht, artisti synonte të mblidhte 2 mijë paund, të cilat do të përdoreshin për realizimin e projektit muzikor, duke përfshirë instrumentalin, regjistrimin, miksimin, masterizimin dhe videoklipin.
Përmes një Instagram Story, G-Bani publikoi emailin e dërguar nga ekipi i GoFundMe, ku konfirmohej se procedura e rimbursimit kishte nisur. Sipas njoftimit, të gjithë donatorët do të marrin mbrapsht 100% të shumës së dhuruar brenda 3 deri në 7 ditëve pune, ndërsa fushata është mbyllur përfundimisht.
Pas kësaj, reperi publikoi edhe një reagim të fortë, ku shprehej i zhgënjyer që ishte mbledhur vetëm 1/20 e shumës së synuar. Ai tha se, nëse publiku nuk dëshironte ta mbështeste projektin e tij artistik dhe mesazhin që synonte të përcillte në lidhje me situatën në Shqipëri, atëherë nuk kishte arsye për ta vazhduar fushatën.
Në reagimin e tij, G-Bani theksoi se mënyra e tij për të protestuar nuk ishte me vezë apo forma të tjera, por përmes artit dhe muzikës.
Megjithatë, vetëm pak minuta pas publikimit, artisti e fshiu postimin, duke lënë aktiv vetëm story-n ku njoftonte kthimin e donacioneve.

