Këngëtari Bardhi ka ndarë disa nga momentet më të ndjera të jetës së tij gjatë një interviste në podcastin e Grida Duma, ku foli për fëmijërinë, luftën, familjen dhe jetën e tij personale.
Mes rrëfimeve më prekëse ishte ai për periudhën e luftës, kur shtëpia e familjes së tij u godit nga bombardimet. Artisti kujtoi se dyert e banesës ishin të mbushura me plumba, një kujtim që, sipas tij, ka mbetur i pashlyeshëm.
Gjatë bisedës, Bardhi u ndal edhe te besimi në Zot, duke treguar se ka qenë një nga shtyllat kryesore që e ka ndihmuar të përballojë sfidat dhe zhgënjimet gjatë jetës dhe karrierës së tij.
Këngëtari foli gjithashtu për familjen e madhe ku është rritur, duke theksuar se vlerat që ka marrë prej saj e kanë formuar si njeri dhe artist.
Një pjesë e rëndësishme e intervistës iu kushtua edhe jetës së tij me partneren, Sara Gjordeni, si dhe ardhjes në jetë të fëmijës së tyre. Bardhi pranoi se prindërimi i ka ndryshuar plotësisht këndvështrimin për jetën.
Në fund të intervistës, ai bëri edhe një deklaratë të ndjerë për Sarën, duke thënë se edhe sikur ta jetonte jetën edhe një herë, nuk do të mund të gjente një partnere më të mirë se ajo.
