Videoja e dhunës ndaj një 17-vjeçareje në Fier, e cila u bë virale ditët e fundit në rrjetet sociale, ka shkaktuar reagime të shumta nga opinioni publik dhe personazhe të njohur.
Mes tyre është edhe këngëtari Luiz Ejlli, i cili ka ndarë një mesazh të gjatë në rrjetet sociale, duke shprehur shqetësimin për fenomenin e dhunës mes të rinjve dhe pasojat që, sipas tij, lë te viktimat dhe te shoqëria në tërësi.
Në reagimin e tij, Luiz shkruan se raste të tilla nuk janë thjesht dështim i individëve të përfshirë, por tregojnë një problem më të gjerë shoqëror.
“Ka ngjarje që nuk të lënë vetëm pa fjalë, të lënë pa frymë. Kur një fëmijë ngre dorën mbi një fëmijë tjetër, nuk ka dështuar vetëm ai, kemi dështuar të gjithë”, shkruan këngëtari.
Ai thekson se dhuna nuk lind brenda një dite, por ushqehet nga indiferenca, mungesa e edukimit dhe normalizimi i sjelljeve të dhunshme.
Sipas Luizit, trimëria nuk qëndron te poshtërimi apo dhuna ndaj një tjetri, por te mbrojtja e atyre që kanë nevojë për ndihmë. Ai nënvizon se, edhe pse videot mund të fshihen shpejt nga rrjetet sociale, pasojat psikologjike që lënë te viktimat mund të zgjasin për shumë vite.
Në fund të mesazhit të tij, këngëtari u bën thirrje familjeve, mësuesve dhe gjithë shoqërisë që t’u kushtojnë më shumë rëndësi edukimit të fëmijëve, duke theksuar se një shoqëri matet nga mënyra se si mbron më të vegjlit dhe jo nga arritjet e tjera.
Reagimi i Luiz Ejllit është shpërndarë gjerësisht në rrjetet sociale, ku shumë ndjekës kanë vlerësuar mesazhin e tij dhe kanë bërë thirrje për ndërgjegjësim ndaj rasteve të dhunës mes të rinjve.
