Një ngjarje e rëndë ka tronditur vendin ditën e sotme, pasi një efektiv policie ka humbur jetën gjatë kryerjes së detyrës në zonën e Lozhanit, në Maliq.
Sipas informacioneve paraprake, efektivët e Forcës së Posaçme “Shqiponja” të Drejtorisë Vendore të Policisë Korçë kishin organizuar një operacion për kapjen e një personi të shpallur në kërkim. Gjatë ndërhyrjes, i dyshuari ka hapur zjarr në drejtim të uniformave blu, duke shkaktuar një bilanc tragjik.
Si pasojë e shkëmbimit të zjarrit, ka humbur jetën efektivi Enea Mekolli, ndërsa është plagosur kolegu i tij, Edison Adri. I plagosuri është transportuar me urgjencë për ndihmë mjekësore, ndërsa autori i dyshuar raportohet se është neutralizuar dhe më pas arrestuar nga forcat e policisë.
Pamje të publikuara në rrjetet sociale tregojnë momentet e vështira pas ngjarjes, ku kolegë të efektivëve dhe familjarë shfaqen të tronditur nga humbja e rëndë.
Autoritetet vijojnë hetimet për të zbardhur plotësisht rrethanat e ngjarjes, ndërsa reagimet për humbjen e efektivit në krye të detyrës kanë qenë të shumta.
