Prindërit e njërës prej vajzave 15-vjeçare të përfshira në ngjarjen e dhunës ndaj 17-vjeçares në Fier kanë reaguar publikisht, duke kërkuar falje për atë që ka ndodhur dhe duke folur për gjendjen shëndetësore të vajzës së tyre.

Në një prononcim për Top Channel, nëna e të miturës tha se familja e kishte mësuar fillimisht për ngjarjen përmes mediave dhe më pas ishte kontaktuar nga Policia për të dhënë dëshminë.

Mes emocionesh, ajo i kërkoi ndjesë 17-vjeçares dhe familjes së saj, duke shprehur keqardhje për ngjarjen.

“Ju kërkoj ndjesë prindërve të asaj vajze. Jam shumë e prekur dhe më vjen shumë keq për atë që ka ndodhur. I uroj shërim sa më të shpejtë,” u shpreh ajo.

Sipas prindërve, vajza e tyre ishte diagnostikuar rreth tre muaj më parë me probleme të shëndetit mendor dhe familja kishte kërkuar ndihmë pranë institucioneve për trajtimin e saj. Ata pretendojnë se edhe më herët ajo kishte shfaqur episode agresiviteti, ndërsa përballja me trajtimin është vështirësuar edhe nga gjendja e tyre ekonomike.

Familjarët u bëjnë thirrje institucioneve që të ofrojnë mbështetje për trajtimin mjekësor dhe psikologjik të vajzës, duke theksuar se nuk synojnë të justifikojnë veprimet e saj, por kërkojnë që, krahas procesit ligjor, të merret në konsideratë edhe gjendja e saj shëndetësore.

Ndërkohë, hetimet për ngjarjen e ndodhur më 8 qershor vijojnë nën drejtimin e Prokurorisë, e cila pritet të sqarojë plotësisht rrethanat dhe përgjegjësitë ligjore të rastit.