Pas ditësh të tëra diskutimesh dhe kritikash në rrjetet sociale për mungesën e një reagimi publik lidhur me zhvillimet në Zvërnec, moderatorja Kiara Tito ka vendosur të thyejë heshtjen.
Përmes një postimi në Instastory, ajo ka sqaruar arsyet pse nuk reagoi menjëherë, duke theksuar se ka preferuar të informohet më mirë për situatën përpara se të shprehej publikisht.
Sipas Kiarës, heshtja nuk duhet interpretuar si mungesë qëndrimi, por si respekt ndaj së vërtetës dhe nevoja për të kuptuar më mirë faktet përpara se të japë një opinion.
Moderatorja ka reaguar gjithashtu ndaj aludimeve se mund të jetë ndikuar nga persona të tjerë për të mos folur mbi këtë çështje. Ajo ka mohuar kategorikisht këto pretendime, duke u shprehur se askush nuk i ka kërkuar të heshtë dhe se fokusi duhet të mbetet te vetë problematika dhe jo te reagimet e personazheve publikë.
Në fund të mesazhit të saj, Kiara Tito ka bërë thirrje për zbardhjen e plotë të situatës dhe për veprim nga institucionet përgjegjëse, duke shprehur mbështetje për mbrojtjen e asaj që e konsideron pasuri të përbashkët.
Reagimi i saj ka ngjallur menjëherë diskutime në rrjet, ku një pjesë e ndjekësve e kanë mbështetur qëndrimin e moderatores, ndërsa të tjerë vijojnë të debatojnë mbi kohën e reagimit të saj.

