Pas përfundimit të eksperiencës si moderatore e “Ferma VIP 3”, Arbana Osmani duket se ka nisur punën për një projekt të ri, për të cilin ka dhënë vetëm disa sinjale në rrjetet sociale.
Moderatorja ndodhet aktualisht në Korenë e Jugut, nga ku ka ndarë me ndjekësit momente nga vizita e saj në Zonën e Çmilitarizuar (DMZ), kufiri mes Koresë së Jugut dhe Koresë së Veriut.
Përmes disa postimeve në InstaStory, Arbana tregoi se turi në DMZ zgjati rreth shtatë orë dhe se gjatë një pjese të madhe të itinerarit vizitorëve nuk u lejohej përdorimi i telefonave.
Ajo ndau edhe histori prekëse për familjet koreane që u ndanë pas luftës, si dhe për programin televiziv të vitit 1983 që ndihmoi në ribashkimin e shumë prej tyre.
“Një eksperiencë unike sidomos për ne shqiptarët që kemi përjetuar izolimin, arratisjet dhe komunizmin. Absolute must nëse e vizitoni Korenë.”, shkroi Arbana.
Ndonëse moderatorja nuk ka zbuluar ende detaje konkrete, postimet e saj kanë ngritur dyshime se udhëtimi në Azi mund të lidhet me një projekt të ri televiziv që pritet të prezantohet në muajt në vijim.


