Reperi i njohur shqiptar Noizy ka reaguar publikisht për të paralajmëruar ndjekësit e tij lidhur me profile dhe faqe të rreme që, sipas tij, po përdorin emrin dhe imazhin e tij për të promovuar kazino online.
Përmes një postimi në InstaStory, artisti sqaroi se nuk ka asnjë lidhje me këto faqe dhe u bëri thirrje fansave të tregojnë kujdes.
“Të gjitha faqet që po shfaqen në emrin tim lidhur me casino online janë fallco. Të pavërteta. Mos i besoni, mos klikoni, sepse janë mashtrime të gjitha”, shkroi Noizy.
Me këtë reagim, reperi u kërkoi ndjekësve të mos ndërveprojnë me profilet apo lidhjet që përdorin emrin e tij pa autorizim, duke theksuar se bëhet fjalë për tentativa mashtrimi.
Ky nuk është rasti i parë kur personazhe të njohur publikë denoncojnë përdorimin e paautorizuar të identitetit të tyre në rrjetet sociale për promovimin e faqeve apo platformave të dyshimta.

