Selin Bollati dhe DJ Gimbo, çifti i njohur që u krijua gjatë edicionit të pestë të “Big Brother VIP Albania”, kanë ndarë disa momente të veçanta nga marrëdhënia e tyre gjatë një interviste në emisionin “Prime Verë” në Kanal10.
Dyshja foli për jetën pas përfundimit të spektaklit, projektet profesionale dhe planet që kanë për të ardhmen, por momenti që preku më shumë publikun ishte surpriza që mori DJ Gimbo.
Gjatë emisionit u transmetua një mesazh nga Toni, babai i Selinës, i cili jeton jashtë Shqipërisë. Ai nuk kurseu fjalët e mira për partnerin e vajzës së tij.
“Ashtu siç të ka bekuar familja me emrin Gëzim, ashtu je. Në çdo hap që hedh gëzon njerëz. Ke gëzuar familjen tënde, ke gëzuar edhe familjen time. Ju puth fort të dyve, shihemi atje, te vendi.”
I emocionuar nga mesazhi, DJ Gimbo iu përgjigj me pak fjalë, por plot ndjenjë:
“Shumë faleminderit, të dua.”
Gjatë intervistës, çifti u rikthye edhe te fillimet e historisë së tyre të dashurisë. I pyetur për takimin e parë me Selinën, Gimbo u shpreh shkurt se gjithçka kishte shkuar “shumë mirë”.
Nga ajo që u pa në studio, marrëdhënia e tyre duket se po ecën më e fortë se kurrë edhe jashtë shtëpisë së BBVA.
