Këngëtari i njohur Labinot Rexha është përfshirë në një rast që po hetohet nga autoritetet në Kosovë.
Sipas raportimit të Sinjalit, një video e siguruar nga Policia e Kosovës ka vënë në lëvizje hetuesit në Klinë. Në pamje, sipas raportimit, shihet një person duke shtënë me armë zjarri gjatë një ahengu familjar.
Videoja është raportuar se u është dorëzuar autoriteteve më 5 gusht, ndërsa pas analizimit të saj kanë nisur veprimet hetimore.
Sipas të njëjtit burim, dyshohet se gjatë performancës muzikore, Labinot Rexha ka marrë një pistoletë dhe ka shtënë katër herë në ajër.
Raportohet gjithashtu se hetuesit kanë kontaktuar me këngëtarin, i cili ka bërë të ditur se do të paraqitet në Polici për t’u intervistuar.
Ndërkohë, organizatori i dasmës ka deklaruar se arma nuk ishte në pronësi të Labinot Rexhës, por i përkiste një mysafiri që jeton në Austri.
Me autorizim të Prokurorit të Shtetit është iniciuar procedurë për veprat penale që lidhen me mbajtjen apo posedimin e paautorizuar të armës dhe përdorimin e armës.
Hetimet janë ende në zhvillim dhe autoritetet pritet të vendosin për hapat e mëtejshëm pas intervistimit të personave të përfshirë.
Labinot Rexha, si çdo person tjetër nën hetim, prezumohet i pafajshëm deri në një vendim të formës së prerë nga gjykata.
