Një sulm me dron ka goditur një plazh të mbushur me pushues në resortin Arkhipo-Osipovka, pranë qytetit Gelendzhik në rajonin rus të Krasnodarit, duke shkaktuar viktima dhe dhjetëra të plagosur.
Sipas autoriteteve ruse, të paktën shtatë persona kanë humbur jetën, mes tyre tre fëmijë, ndërsa rreth 40 të tjerë kanë mbetur të plagosur.
Pamjet e publikuara në rrjetet sociale tregojnë momentin kur objekti fluturues bie pranë zonës së plazhit, ku ndodheshin dhjetëra pushues në breg dhe në det, duke shkaktuar panik.
Guvernatori i rajonit të Krasnodarit, Veniamin Kondratyev, deklaroi se objektivi i sulmit ishte infrastruktura civile. Sipas tij, në vendngjarje janë dërguar ekipe të emergjencës dhe disa nga të plagosurit, përfshirë një fëmijë, janë transportuar në spital.
Nga ana tjetër, Ukraina nuk ka reaguar ende zyrtarisht për ngjarjen. Kievi ka deklaruar vazhdimisht se nuk godet qëllimisht objektiva civile.
Ndërkohë, autoritetet ruse raportuan edhe katër viktima nga një tjetër sulm në Krimenë e aneksuar, ndërsa lufta mes Rusisë dhe Ukrainës vijon të shkaktojë viktima në të dyja anët.
