Një vepër arti e krijuar nga trungu i një ulliri shekullor në Itali po tërheq vëmendjen e mijëra njerëzve dhe po shpërndahet me shpejtësi në rrjetet sociale për mesazhin e saj të fuqishëm.

Skulptura, e quajtur “Shpëtimtari i Shpëtuar”, është realizuar në rajonin e Salentos, mbi trungun e një ulliri që ishte tharë plotësisht pasi u prek nga bakteria Xylella fastidiosa, një sëmundje që ka shkatërruar miliona pemë ulliri në jug të Italisë.

Në vend që pema të pritej për dru zjarri ose të lihej të kalbej, artisti vendosi t’i japë një jetë të re. Me mjeshtëri ai gdhendi në trung figurën e Krishtit të kryqëzuar, duke e kthyer pemën e tharë në një simbol shprese, besimi dhe rilindjeje.

Vepra ka marrë një domethënie edhe më të madhe në një kohë kur Europa po përballet me zjarre të mëdha pyjore dhe katastrofa natyrore. Për shumë njerëz, skulptura përcjell mesazhin se edhe pas humbjeve dhe shkatërrimit, mund të lindë diçka e bukur.

Fotografitë e saj janë bërë virale në rrjetet sociale, ku mijëra përdorues e kanë cilësuar si një nga veprat më prekëse të viteve të fundit, duke e parë si një simbol të qëndresës, shpresës dhe forcës për të nisur nga e para.