Një skenë e pazakontë është regjistruar në plazhin Marina di Ragusa, në Siçili, ku qindra mijëra euro përfunduan në det dhe më pas u nxorën në breg nga dallgët, duke habitur pushuesit.
Sipas mediave italiane, gjithçka nisi kur një skaf i vogël mbeti pa karburant pranë portit. Në bord ndodheshin katër persona, por ndërsa dy prej tyre zbritën për të siguruar karburant, mjeti u shty nga rrymat detare drejt bregut.
Pushuesit njoftuan menjëherë rojën bregdetare, duke menduar se skafi ishte në rrezik. Megjithatë, sapo mjeti i autoriteteve iu afrua për t’i ndihmuar, dy personat që ndodheshin në skaf nisën të hidhnin në det dhjetëra pako të mbushura me kartëmonedha.
Pakot u sollën nga dallgët deri në breg, ku shumë pushues nxituan t’i merrnin. Më pas, në vendngjarje mbërritën policia, karabinierët dhe policia financiare, të cilët rrethuan zonën, sekuestruan paratë dhe identifikuan disa persona që kishin marrë një pjesë të tyre.
Sipas autoriteteve italiane, janë sekuestruar rreth 700 mijë euro, ndërsa hetimet vijojnë për të përcaktuar nëse një pjesë e shumës mungon ende. Skafi është sekuestruar dhe tre persona janë arrestuar.
